e enjte, mars 02, 2006

Urdhri i Enverit: “Shqipëria, pëllëmbë e qendër zjarri“


Kujtim Boriçi

Si udhëhoqi Mehmet Shehu fortifikimin e vendit Statistika nga fortifikimi i vendit:-Në të gjithë vendin u ndërtuan 360 000 qendra zjarri të betonta. -U ndërtuan gjithashtu 3 264 pozicione zjarri artilerie të fortifikuara. -U ndërtuan nën tokë mbi 1 000 pika vrojtimi (shumë prej tyre me disa dhoma e ambiente) të fortifikuara. -U ndërtuan qindra tunele të nëndheshme, mijëra vendstrehime kolektive për popullatën. Shembuj nga historia shqiptare:-Në rrethimin e parë të Krujës (pranverë e vitit 1450), falë fortifikimit, ushtria e Skënderbeut, ndonëse në raporte 1:67 në favor të armikut, arriti të mposhtë hordhitë e 100 mijë jeniçerësh të sulltan Muratit të Dytë. -Në rrethimin tjetër të Krujës në vitet 1466-1467, ku raporti qe 1:34 për armikun, turqit mësynë me 150 mijë forca, të mbështetura me artileri të rëndë. -Falë fortifikimit të mbrojtjes shqiptare në rrethimin e parë të Shkodrës në vitin 1477 me 80 mijë forca e 1 000 gamilje të ngarkuara me bronz për predhat e topave, turqit u thyen duke lënë 20 mijë të vrarë. -Në rrethimin e dytë të Shkodrës në vitet 1478-1479, ku turqit mësynë me 350 mijë forca kundrejt 1 600 burrave shqiptarë, fortifikimi qe faktori vendimtar në fatin e betejës. Ushtarakët madhorë që projektuan e drejtuan fortifikimin e Shqipërisë -Mehmet Shehu-Menduh Backa-Alfred Moisiu-Josif Zegali-Sotir Budina-Abedin Galanxhi. Izolimi, urdhri për fortifikimin e venditGrupet “armiqësore“ në ushtri që nisën me dënimin e Beqir Ballukut dhe bashkëpunëtorëve më të afërt të tij, grupet “sabotatorë“ në ekonomi që patën të njëjtin fat, prishja e miqësisë me rusët (më 1960) dhe me kinezët më pas, solli një izolim të plotë të Shqipërisë nga bota dhe një angazhim total të shtetit për të siguruar mbrojtjen e vendit vetëm në forcat e veta!Në këto kushte, sipas dokumenteve zyrtare të kohës, krahas shtimit maksimal të ushtrisë aktive, ngritjen në çdo majë mali të një reparti ushtarak, inkuadrimin e „të gjithë popullit ushtar“, vënien nën armë të të gjithë popullatës në kufijtë e 6 orëve, Enver Hoxha dhe Byroja Politike planëzojnë dhe organizojnë fortifikimin e të gjithë vendit, si garancinë e një mbrojtje të fortë e të pa kalueshme nga armiku. Urdhri i Partisë „Vendi pëllëmbë e qendër zjarri“, -kujtojnë ushtarakët që hartuan dhe zbatuan këtë fortifikim, ishte një nga ndërmarrjet më të vështira që nga Lufta e Dytë Botërore, që kishte një punë voluminoze e kosto tepër të lartë financiare. Fortifikimi, -sipas Veli Llakajt, ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe një nga drejtuesit e fortifikimit të vendit, filloi pas një pune tepër studimore të kryer nga inxhinierët dhe projektuesit e mrekullueshëm ushtarakë e civilë. Fortifikimi, sipas tij, ishte si rezultat i një eksperience dhe studimi të të gjithë fortifikimeve të vendeve të botës, qoftë sipas asaj që unë trajtova më lart, por edhe nga eksperienca e luftës së Vietnamit. Por, -shton më tej ai, -ky fortifikim është origjinal shqiptar dhe sipas kushteve të vendit tonë. “Ideator i këtij fortifikimi ishte Mehmet Shehu, i cili me fantazinë e tij, durimin, zgjuarsinë, studimin e thellë që kishte bërë dhe intuitën e një projektuesi, arriti që në bashkëpunim me inxhinierët më të mirë dhe konstruktorët që t’i japë një fizionomi të plotë. Bashkëpuntorët më të ngushte të tij kanë qenë gjenerali i talentuar Mendu Backa, Alfred Moisiu, Josif Zagali, Sotir Budina, Abedin Galanxhi e shumë të tjerë“, - kujton Llakaj. Përgatitjet për këtë aventurë Fortifikimi i vendit, kujton ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, u bë sipas planit operative-strategjik të mbrojtjes dhe detyrave luftarake të njësive përkatëse. Ky fortifikim u bë në bazë të kapacitetit të terrenit. “Para se të fillonte puna për një fortifikim të gjithë dhe të cilësisë së lartë, fillimisht u përgatit një garnizon me qendra zjarri nën drejtimin e Drejtorisë së Fortifikimit dhe ky mikrofortifikim u pa nga Mehmet Shehu dhe disa nga kuadrot e larta të ushtrisë mbi bazën e diskutimeve krejtësisht të lira, të vërejtjeve dhe mendimeve të dhëna dhe në fund vulën e këtij e dha Mehmet Shehu“, - tregon Llakaj. Pra, pas kësaj eksperience, u krijua një bazë për ndërmarrjen e hapit të rëndësishëm për të „mbjellë“ të gjithë territorin e Shqipërisë me qendra zjarri e fortifikata të betonta. Kështu, në shkallë ushtrie u bë një mësim tregues praktik me të gjithë komandantët e korpuseve dhe të brigadave të ushtrisë në zonën e Fushë -Studes dhe në pllajën e malit të Zylit, pra një kombinim midis fortifikimit në zonë fushorë dhe atë malore. “Ky mësim teoriko-praktik prej gati një muaji u bë nën drejtimin direkt të Alfred Moisiut, pra të një personi tepër kompetent për këtë çështje e që ka dhënë një kontribut me vlera të veçanta në këtë komponent të rëndësishëm të mbrojtjes së vendit“, -shton Llakaj. Fortifikimi, marrëzi apo domosdoshmëri Jo pak, por mbi 360 000 qendra zjarri të betonta e objekte të fortifikuara, mbi 1 000 tunele nëntokësore, mijëra strehime kolektive të nëndheshme, rreth 3 264 pozicione zjarri të fortifikuara për artilerinë etj... Një investim kolosal që e ka „mbjellë“ vendin në çdo skaj, si asnjë shtet tjetër në glob. Sipas specialistëve, kosto e ndërtimit vetëm për një qendër zjarri është më e madhe se një hyrje për banim, ndërkohë që investimi për fortifikimin e vendit ka shpenzuar mundin e brezave të shqiptarëve ndër dekada. Koha shpejt tregoi se fortifikimi i Shqipërisë ishte një aventurë, ndonëse dikush e argumenton këtë ndërmarrje me kohën dhe rrethanat kur u bë ky fortifikim. “Dikush sot do ta quajë një marrëzi ose punë koti, se kush do të na sulmojë etj. Po tani kështu mund të gjykohet, por edhe mund të vijë përsëri ndonjë marrëzi që të na duhet, ashtu si ndokush mund të mendoi; po Kinën kush do ta sulmojë që ka një fantazi të tërë nëntokësore që kush e ka parë e ka zili“, -pohon mes të tjerave Veli Llakaj, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Nesër do të lexoni:-Urdhri i Mehmet Shehut për verifikimin e qëndrueshmërisë së qendrave të zjarrit me qenie të gjalla brenda nga goditjet e artilerisë. -Çfarë ndodhi në Sarandë me provat e qëndrueshmërisë së fortifikimit.